Gjyqtari i njohur spanjoll, David Fernandez Borbalan pritet ta drejtojë ndeshjen e 6 tetorit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë që luhet në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, shkruan albinfo.ch.
Borbalan do t’i ketë me vete asistentët spanjollë. Gjyqtari 43-vjeçar që para një jave drejtoi supersfidën, Barcelona – Atletico Madrid (1:1), ka mbi supe edhe disa “El Clasico” të gjykuara, duke qenë kështu një nga gjyqtarët më me përvojë në Evropë.
FIFA ia ka besuar pikërisht përvojës së tij ndeshjen Kosovë – Kroaci.
Kosova ndeshjen e parë ka barazuar me Finlandën, ndërsa Kroacia po ashtu ka luajtur 1:1 me Turqinë.
Ndërkohë, është caktuar edhe stadiumi se ku do të luhet sfida Ukrainë-Kosovë. Federata e Futbollit e Ukrainës (FFU) ka vendosur që në stadiumin e Craiovas të zhvillohet ndeshja.
Në atë stadium Ukraina do të presë Kosovën, në ndeshjen e 9 tetorit, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusi 2018”.