Gjykatësi Michael Simon, i cili shërben si gjykatës i qarkut në Oregon, vendosi për ndalim të përkohshëm të këtij propozimi. Vendimi u mor pasi shtatë qytetarë amerikanë dhe një organizatë joqeveritare kishin paraqitur ankesë kundër këtij rregulli.
Sipas tyre, rregulli i ri do t’i bllokonte mijëra imigrantë ligjorë dhe se numri i imigrantëve që hyjnë në Shtetet e Bashkuara përmes vizave të sponsorizuara nga familja do të zvogëlohej shumë apo do të zhdukej plotësisht.
Në vendimin e gjykatës thuhet: “Përballja me rrezikun e mundshëm të ndarjes nga anëtarët e familjes dhe vonesa për marrjen e vizës, e cila në raste të tjera do t’u dhurohej familjarëve, është dëmtuese në mënyrë të pariparueshme”.
Vendimi i gjykatësit Simon për pezullimin e këtij rregulli për 28 ditë nënkupton që ai nuk do të fillojë së zbatuari më 3 nëntor, por beteja ligjore për këtë çështje pritet të vazhdojë më gjatë.
Zyrtarët e administratës së presidentit Trump kanë thënë se imigrantët ligjorë kanë trefish më pak sigurime shëndetësore se qytetarët amerikanë dhe se taksapaguesit nuk duhet t’i mbulojnë shpenzimet e tyre, shkruan “BBC”, transmeton GE, përcjell albinfo.ch.