Testimi i sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil, Driton Gjonbalaj, nuk ka qenë dështim.
Ai gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të AAC-së për vitin 2017 në Komisionin për Zhvillimin Ekonomik ka thënë se teste të tilla të bëra nga ana e shtetit zakonisht dalin të suksesshme, pasi që bëhen nga profesionistë.
Gjonbalaj ka pasur shumë vërejtje sa i përket raportit të organizatës Indep, kjo pasi që drejtori i kësaj organizate është në konflikt interesi. Derisa ka theksuar se ai është i gatshëm të japë dorëheqje në rast se ndonjë institucion kredibil i BE-së në fushën e aviacionit del me ndonjë raport se në ndonjë sekondë është rrezikuar siguria në Kosovë.
Gjatë shqyrtimit të këtij raporti gjithashtu u ngrit si problematikë çështja e mosfunksionalizimit të aeroportit të Gjakovës, tarifat e larta të biletave, etj.