Në mediat amerikane është bërë “hit” një ngjarje, e cila ka bërë bujë për gjestin e mirë të një polici amerikan, i cili u thirr me urgjencë për të arrestuar një familje të dyshuar se kishte vjedhur ushqime në një dyqan në Somerset, Massachusetts, përcjell albinfo.ch.
Nga ajo që pa, polici, jo vetëm nuk i prangosi, përkundrazi, i pagoi vetë të gjitha.
Historia e policit Matt Lima tashmë ka pushtuar titujt kryesorë të disa gazetave amerikane. Edhe pse ngjarja ndodhi muajin e kaluar, ajo është mësuar tani. Dy gra u raportuan se nuk kishin kaluar në kasë të gjitha ushqimet e marra.
Ato u treguan mjaft të sinqerta në përgjigjen e tyre përpara efektivit: se donin të kishin si të gjithë një darkë normale, me të cilën do t’i gëzonin fëmijët e tyre.
Por familja kishte hasur në vështirësi financiare këtë periudhë, e nuk e paguante dot gjithë ushqimin. Lima i qortoi për shkeljen, por nga ana tjetër i la të merrnin të gjitha ushqimet, pasi atë çfarë mungonte në faturën e pazarit, e pagoi nga xhepi i tij.
“Dy fëmijët e vegjël që ishin me njërën nga gratë më kujtuan fëmijët e mi”, tha polici. “Nuk mund të bëja gjë tjetër përveçse t’i ndihmoja”, shtoi ai. /Albinfo.ch