Mësohet se shteti gjerman ka zotuar 90 milionë euro për punësim, energji dhe integrim të Kosovës në Bashkimin Evropian, ka bërë të ditur Ministria e Financave dhe Transfereve përmes një postimi në Facebook, përcjell albinfo.ch.
Në njoftim bëhet e ditur se pas përfundimit të negociatave mes Kosovës dhe Gjermanisë, Qeveria gjermane zotoi mbështetjen prej 90 milionëve për periudhën 2024/2025, prej të cilave 20 milionë euro janë në formë të granteve.
“Kjo marrëveshje e re shënon rritje të theksuar të vlerës së mbështetjes krahasuar me atë paraprake për periudhën 2022/2023, që ishte në vlerë prej 37 milionë euro, duke dëshmuar kësisoj thellimin e bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se këto mjete do të destinohen për të mbështetur integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe, ndër të tjera, fokusohen në investime në sektorin e energjisë, përkatësisht procesit të dekarbonizimit, garantim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ofrim të trajnimeve dhe punësimit si dhe mbështetje të komunave, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe ruajtjen e mjedisit.
“Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, theksoi bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë gjermane, duke përmendur disa projekte të rëndësishme që janë zbatuar në kuadër të këtij bashkëpunimi, siç është projekti për ndërtimin e ngrohtores diellore dhe rehabilitimin e ujërave të zeza në Prishtinë, menaxhimit të mbeturinave në të gjithë Kosovën si dhe themelimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren. Sa i përket mbështetjes së zotuar sot, ministri Murati falënderoi Qeverinë gjermane, duke potencuar se një mbështetje e tillë forcon edhe më tutje marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, promovon zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe e përafron atë me Bashkimin Evropian”, thuhet tutje në njoftim.
Ambasadori gjerman, Jörn Rohde, theksoi bashkëpunimin gjermano-kosovar, duke thënë se ky i fundit ka kontribuar në standard më të mirë të jetesës për të gjithë qytetarët, duke promovuar rritjen ekonomike dhe punësimin e rregullt. Sipas Ambasadorit Rohdes, projektet e radhës të cilat do të zbatohen përmes fondeve të zotuara sot do të përforcojnë pavarësinë ekonomike të grave dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik të gjelbër dhe inovativ të Kosovës.