Qeveria e Gjermanisë ka marrë disa masa lehtësuese për qytetarët për të luftuar rritjen e kostos së jetesës.
Për tre muajt e ardhshëm, gjermanët do të udhëtojnë brenda vendit me transport publik për vetëm 9 euro në muaj.
Këtu përfshihen të gjithë trenat, autobusët dhe metrotë.
Ulja e çmimit ka si synim gjithashtu mospërdorimin e automjeteve private.
Nga ana tjetër, taksat për karburantin është ulur me 30%, duke bërë që çmimi i naftës të shkojë nën 2 euro për një litër.
Ministri i Transportit, Volker Wissing, thotë se vendimi është një mundësi e jashtëzakonshme dhe deri tani janë shitur 7 milionë bileta (abone).
Gjermania, ashtu si shumë vende të tjera, është goditur nga rritja e çmimit të energjisë, ku inflacioni arriti 7.9% muajin e kaluar.
Kancelari Olaf Scholz gjatë fjalës në Parlament të mbajtur të mërkurën tha se shkak ishte pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Përveç kësaj, qeveria gjermane po diskuton edhe masa të tjera, përfshirë 300 euro zbritje në koston e energjisë gjatë dimrit./Euronews.al