Pavarësisht shpresës për një jetë më të sigurt në Gjermani, mijëra persona me status mbrojtjeje plotësuese po përballen me ndarje të zgjatur nga familjet e tyre për shkak të kufizimeve të reja të miratuara nga Bundestagu më 27 qershor. Ndër ta është edhe Mohammed, një azilkërkues nga Siria, i cili prej dy vitesh jeton vetëm me djalin e tij të sëmurë në Gjermani, ndërsa pjesa tjetër e familjes mbetet e bllokuar në Siri, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.
Ligji i ri pezullon për të paktën dy vjet të drejtën për ribashkim familjar për personat me mbrojtje plotësuese – një kategori që përfshin ata që nuk plotësojnë kriteret e plota të refugjatit, por që përballen me rrezik serioz në vendin e tyre të origjinës. Në vitin 2024, Gjermania lëshoi vetëm rreth 12,000 viza për familjarët e këtij grupi, nga gjithsej 120,000 viza për ribashkimin familjar.
Qeveria e koalicionit CDU/CSU-SPD e justifikon vendimin me vështirësitë e integrimit dhe kapacitetet e mbingarkuara të komunave. Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt tha se “Aftësia e vendit për t’u integruar ka arritur në një pikë kthese”. Por organizatat e të drejtave të njeriut si Pro Asyl paralajmërojnë për pasoja të rënda psikologjike dhe sociale tek personat e ndarë nga të dashurit e tyre, që mund të çojnë edhe në emigrim të parregullt dhe rrezik të jetës.
Ekspertët ligjorë theksojnë se ndonëse Direktiva e BE-së për ribashkimin familjar nuk i mbulon drejtpërdrejt këta persona, Gjermania është ende e detyruar të respektojë Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Por një përjashtim kyç është njohur nga Gjykata Kushtetuese Gjermane: nëse një alternativë e arsyeshme për jetesën familjare ekziston në një vend tjetër, nuk ka të drejtë automatike për ribashkim në Gjermani.
Proceset burokratike mbeten gjithashtu pengesë: vonesa që shkojnë nga gjashtë muaj në dy vjet, testime ADN-je, mungesë ambasadash pranë vendbanimeve dhe lista të gjata pritjeje, e bëjnë ribashkimin një ëndërr të largët për shumë familje. Siç thekson juristi Thomas Gross, kjo nuk është “thjesht një fluturim”, por një proces kompleks, shpesh i pakapërcyeshëm për njerëzit që jetojnë në zona lufte, transmeton albinfo.ch.