Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, do të udhëtojë të martën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shkëmbyer pikëpamjet lidhur me pandeminë Covid-19, së bashku me shkencëtarët dhe zyrtarët e lartë të qeverisë.
“Udhëtimi gjashtëditor do të përfshijë shqyrtimin e strategjisë për pandeminë Covid-19, me këshilltarët e lartë të qeverisë amerikane në përgatitje të një vale të mundshme të rasteve gjatë vjeshtës”, tha një zëdhënës i ministrit, transmeton Dpa, përcjell Albinfo.ch.
Bisedimet janë planifikuar me ministrin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Xavier Becerra dhe këshilltarin e presidentit amerikan për pandeminë, Anthony Fauci.
Lauterbach, i cili është një mjek dhe epidemiolog i trajnuar, do të takohet gjithashtu me përfaqësues të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe do të vizitojë shkencëtarët dhe institucionet mjekësore.
Gjermania dhe SHBA-ja po përgatiten për një valë të re infeksionesh me Covid-19 të nxitura nga nënvariantet infektive të Omicron.