Një burrë 61-vjeçar në Gjermani është raportuar se ka marrë dozat e vaksinave kundër COVID-19 plot 87 herë, duke e kthyer këtë në biznes dhe duke ua shitur certifikatat e marra personave të cilët ishin pjesë e grupimit “anti-vax”.
Pavarësisht faktit se ende nuk është konfirmuar, autoritetet gjermane mendojnë se e gjithë kjo ishte pjesë e një skeme për të shitur certifikatat.
Pikërisht mbi këtë pretendim ka nisur edhe një hetim i gjerë për formulën që ndiqte personi i përfshirë në ngjarje.
Sipas informacioneve të para të publikuara nga media gjermane “Frei Presse”, 61-vjeçari shkonte në provincat lindore të Saxony-së dhe Saxony-Anhalt, për t’u vaksinuar. Ai hynte në qendra të ndryshme dhe kërkonte të inokulohej, deri në tri herë në ditë.
Dyshimet e para i pati ngritur një punonjës i një prej qendrave të vaksinimit, të cilit burri i qe dukur si fytyrë e parë.
Herën tjetër kur ai shkoi në qendër vaksinimi, Policia u njoftua menjëherë dhe u paraqit në vendngjarje, ku edhe e arrestoi atë.
Mënyra se si ai u shpëtonte kontrolleve, ishte duke sjellë çdo herë një certifikatë të bardhë vaksinimi. Pra, të paplotësuar.
Më pas, ai merrte dozën dhe griste faqen ku ishte shënuar vaksinimi me numrin e lotit dhe ia shiste anti-vax-erave.
Rasti i pazakontë tashmë po vë në pikëpyetje të mëdha sistemin dhe po shihet nëse mund të ketë pasur raste të tjera të një manipulimi të tillë.