Dy kryesuesit në listë për zgjedhjet europiane të partisë gjermane të ekstremit të djathtë, AfD, janë akuzuar se kanë marrë nga Zvicra donacione të dyshimta, bëhet e ditur në edicionin e sotëm të gazetës ‘’Die Welt’’.
Dy politikanët, Jorg Meuthen dhe Guido Reil, janë bërë objekt i një hetimi për financim të paligjshëm të fushatave të tyre respektive zgjedhore.
Është rasti i dytë i këtij lloji për Alternativën për Gjermaninë (AfD).
Bashkëdrejtuesja e grupit të saj parlamentar, Alice Weidel, është vënë nën shënjestrën e një hetimi gjyqësor për 132 000 euro donacione zvicerane të siguruara për financimin e fushatës në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, shkruan atsh, përcjell albinfo.ch.
Jorg Meuthen, bashkëdrejtuesi i AfD dhe numri një në listën për zgjedhjet europiane pranoi se një shoqëri zvicerane komunikimi ‘’Goal AG’’ kishte stampuar dhe publikuar material për fushatën e saj gjatë zgjedhjeve rajonale më 2016 për një vlerë rreth 89 900 euro.