Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, ka njoftuar se nga 1 janari deri më 31 korrik të këtij viti, vendi ka pranuar 70,011 kërkesa për azil, që është 50 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 140,173 kërkesa.
Ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt CSU, tha se ulja e numrit të kërkesave për azil është rezultat i refuzimit të vazhdueshëm të hyrjes në kufi për personat pa dokumentacion të rregullt për hyrje në Gjermani.
Masat u vendosën nga qeveria kristiano-socialdemokrate nën drejtimin e kancelarit, Friedrich Merz, menjëherë pas ardhjes në pushtet në fillim të majit, transmeton albinfo.ch.
Ai paralajmëroi gjithashtu arritjen e një marrëveshjeje në nivelin e Bashkimit Evropian për të reduktuar më tej hyrjet e parregullta në union.
“Ne synojmë që kërkesat për azil të shqyrtohen në kufijtë e jashtëm të BE-së, përmes procedurave më të shpejta dhe me zbatim të rreptë të deportimeve”, tha ai për Bild am Sonntag.