Pushuesit gjermanë po këshillohen të heqin dorë nga valixhet e zeza dhe në vend të kësaj të pajisen me bagazhe shumëngjyrëshe dhe tërheqëse për ta bërë më të lehtë gjetjen e tyre në aeroportet që luftojnë me kaosin e trajtimit të bagazheve.
Stefan Schulte, kreu i aeroportit të Frankfurtit, ka thënë se mbizotërimi i valixheve të zeza ka kontribuar në vështirësitë me të cilat përballen linjat ajrore dhe mbajtësit e bagazheve në javët e fundit, sepse ishte “e vështirë t’i dallosh nga njëra-tjetra”.
Schulte u tha mediave gjermane se këshilla e tij për pasagjerët ishte që kudo që të ishte e mundur të sillnin vetëm bagazhet e dorës dhe nëse kjo nuk ishte e mundur të përdornin valixhe që do të ishin më të lehta për t’u identifikuar.
Thomas Kirner, një zëdhënës i aeroportit, tha se “shumë njerëz udhëtojnë me valixhe të zeza, gjë që e bën identifikimin e tyre shumë intensiv në kohë”.
Këshilla është tallur në disa qarqe të medias gjermane, ashtu si edhe sugjerimi shtesë i autoriteteve të aeroportit që njerëzit të shtojnë etiketa me emrat dhe adresat e tyre në bagazhet e tyre, të cilat, si rregull, policia nuk i këshillon për arsye sigurie.
Kirner tha se numri i valixheve që nuk ishin ribashkuar me pronarët e tyre ishte zvogëluar ditët e fundit, por ende qëndronte në “katërshifra”.
Gjatë pandemisë, aeroporti i Frankfurtit reduktoi fuqinë punëtore me rreth 4 mijë punonjës. Ngjashëm me aeroportet e tjera anembanë botës, ajo po përpiqet të rifillojë operimet e saj të rregullta për të përballuar një rritje të trafikut të verës tani që shumica e kufizimeve pandemike janë hequr/ap