Deputetët në Francë kanë miratuar ligjin i cili e konsideron të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit osman kundër armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore, pavarësisht paralajmërimeve të bëra nga Turqia.
Ligji mori mbështetje të gjerë në Asamblenë Kombëtare, bën të ditur agjencia e lajmeve AFP. Ligji pritet të miratohet në senat vitin tjetër.
Sipas këtij ligji, ata që e mohojnë publikisht gjenocidin otoman ndaj armenëve mund të përballen me një vit burg dhe një gjobë prej 45 mijë eurosh. Më shumë se 20 vende duke përfshirë Francën e kanë njohur zyrtarisht gjenocidin osman kundër armenëve të vitit 1915.
Menjëherë pas vendimit të sotëm në Parlamentin e Francës, Ankaraja në shenjë proteste vendosi të tërheqë ambasadorin e saj nga Parisi. Turqia e kundërshton termin gjenocid dhe e kishte paralajmëruar Parisin se do të reagonte ashpër nëse një ligj i tillë miratohej. (er.nu/news24/BalkanWeb)