Mesfushori shqiptar Pajtim Kasami pritet që karrierën ta vazhdojë në Serie A. Mediumet italiane kanë raportuar se interesim për shërbimet e Kasamit ka treguar skuadra e Genoas, shkruan albinfo.ch.
Uebfaqja “Tuttomercatoweb” ka shkruar se ekipi italian është i gatshëm t’i paguajë Olympiacosit dëmshpërblim prej pesë milionë eurosh për Kasamin.
24-vjeçari ka kontratë me klubin grek deri në vitin 2018, por është i gatshëm të largohet për t’u kthyer në Serie A. Ai prej vitit 2014 është pjesë e Olympiacosit dhe ka fituar dy tituj kampioni të Greqisë. Kasami ka 12 paraqitje për Përfaqësuesen e Zvicrës.
Te Genoa në edicionin e fundit është paraqitur edhe mesfushori tjetër shqiptar Blerim Xhemaili dhe së bashku me Kasamin mund të formojnë dyshen shqiptare te skuadra italiane. Xhemaili dhe Kasami janë nga Maqedonia.