Gazprom ka përdorur klauzolën e “forcës madhore” si shkak për uljen e furnizimeve me gaz në Evropë për të paktën një klient të madh, raporton Reuters.
Kjo klauzolë është standarde në kontratat e biznesit dhe përshkruan rrethanat ekstreme që e shfajësojnë një palë nga detyrimet e tyre ligjore.
Muajin e kaluar Rusia reduktoi flukset në 40% të kapacitetit total të tubacionit Nord Stream 1, duke përmendur kthimin e vonuar të pajisjeve që janë për riparim në Kanada.
Gjermania dhe pjesa tjetër e Evropës po përpiqen të reduktojnë varësinë e tyre nga importet ruse të energjisë. Evropa tani ka frikë se Rusia mund të zgjasë mirëmbajtjen e planifikuar për të kufizuar më tej furnizimin me gazin rus.
Që nga marsi Rusia ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz për disa vende evropiane që nuk përmbushën kërkesën e saj për të paguar në rubla.