Gazetarët kosovarë janë ankuar në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, se në Kosovë ende mbetet shqetësuese siguria e tyre. Në raportin e organizatës Freedom House për lirinë e medieve në botë, të publikuar dy ditë më parë, Kosova edhe këtë vit është radhitur në mesin e vendeve ‘pjesërisht të lira’. Madje, sipas organizatës me seli në SHBA, Kosova ka shënuar një hap prapa.
Gazetarët, në shtetin e ri të Kosovës, vazhdojnë të përballen me kërcënime, frikësime e forma tjera të pengimit të tyre në punë, ndërsa disa prej tyre, kanë qenë objekt edhe të sulmeve fizike.
Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, Liridona Lluka-Gashi ka thënë se 3 maji është shpallur Dita Botërore e Lirisë së Shtypit për të ngritur vetëdijen dhe rëndësinë e lirisë së shtypit dhe për t’ua kujtuar qeverive detyrën që kanë në drejtim të respektimit të të drejtës së shprehjes së lirë që është e garantuar me nenin 19 të Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut.
Në anën tjetër gazetarët thonë se janë vazhdimisht duke u përballur me kërcënime të formave me të ndryshme.
Në rastet kur gazetarët janë kërcënuar, Policia e Kosovës është dashur disa herë t’u dalë në mbrojtje gazetarëve të kërcënuar. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë se ka pasur disa raste kur gazetarët është dashur të shoqërohen nga policia në kryerjen e punës së tyre.
Më pas, AGPK, përmes një performance, ka vendosur një kukull me kollare rreth qafe, me disa dokumente nën këmbë, para objektit të Qeverisë më 3 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.
AGPK-ja, në emër të gazetarëve, kanë kërkuar që Qeveria të emëroj një zëdhënës dhe të lejojnë qasje në dokumente zyrtare por kjo nuk ka ndodhur, andaj AGPK-ja, edhe një herë, ka bërë thirrje që këto të rregullohen sa më shpejtë.