Futbollisti shqiptar, Astrit Ajdareviq, nuk ka si ta fillojë më mirë në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’. Ajdareviq shënoi për barazimin e ekipit olimpik të Suedisë me rezultat 2:2 në përballje me Kolumbinë, në ndeshjen e parë të Grupit B, shkruan albinfo.ch.
Suedia është në grup me Nigerinë, Kolumbinë e Japoninë. Ajdareviq shënoi në minutën e 62-të. Golat në këtë ndeshje i realizuan: Ishak (43’) e Ajdareviq (62’) për Suedinë dhe Gutierrez (17’) e Pabon (75’ nga penalltia) për Kolumbinë. Ajdareviq u paraqit titullar deri në minutën e 91 kur u zëvendësua nga Valmir Berisha, i cili po ashtu është shqiptar dhe mund të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës.
Astrit Ajdareviq ka lindur më 17 prill 1990 në Prishtinë, derisa karrierën e ka filluar në Suedi. Prindërit e tij janë shqiptarë nga Medvegja, kurse familja ishte shpërngulur më 1992 në Suedi. Babai i tij, Agimi ishte anëtar i Spartak Subotica në ligën e atëhershme të Jugosllavisë.