Skip to content

Fundoset anija me të paktën 200 emigrantë në Mesdhe

Një anije me të paktën 200 emigrantët është përmbysur në Detin Mesdhe, në afërsi të bregdetit libian, thonë Zyrtarët e Rojës Bregdetare në Libi

Raportohet që shumica e personave nga Afrika të jenë mbytur. Roja bregdetare tha sot se janë shpëtuar më pak se 20 vetë. Anija e vogël prej druri u mbyt të premten vonë, në lindje të Tripolit.

Sic raporton VOA, Libia është bërë një pikë e rëndësishme e nisjes për afrikanët që përpiqen të shkojnë në Evropë për të gjetur punë dhe për t’i shpëtuar gjendjes së vështirë në vendet e tyre.

Aksidentet në det, që zakonisht ndodhin me anije të mbingarkuara dhe të paqëndrueshme, shkaktojnë çdo vit vdekjen e qindra emigrantëve nga Afrika e Veriut.

Që nga viti 2011, me rrëzimin dhe vrasjen e diktatorit Muamer Gadafi, trafikantët e qenieve njerëzore kanë shfrytëzuar kaosin politik të Libisë dhe kufijtë e saj plot të çara.