Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet për transformim në Forca të Armatosura, por tash po presin vendimin politik ka thënë ministri Rrustem Berisha në “Ditën e Forcës”.
“Jemi gati për transformimin e FSK-së, por po presim kushte më të volitshme që kjo të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Kjo do të bënte më të lehtë anëtarësimin në NATO”, ka thënë Berisha, i cili ka uruar të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, transmeton albinfo.ch.
Ministri premtoi se do të angazhohet që t’u krijohen kushte edhe më të mira për pjesëtarët e FSK-së që ata të jenë të gatshëm për detyrat e reja që i presin.
Për nder të “Ditës së Forcës”, FSK-ja ka hapur dyert për vizitorë në të gjitha kazermat e saj.
Një numër i madh fëmijësh e qytetarësh kanë vizituar kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ku janë njoftuar nga afër me punën që bëhet aty.