Një numër i madh njerëzish nga fshati zviceran i Brienzit janë regjistruar për t’u zhvendosur sa më shpejt të jetë e mundur nga fshati i prirur ndaj rrëshqitjeve të dheut në kantonin Graubünden.
Rreth 40 aplikime për një zhvendosje përfundimtare ishin paraqitur deri në afatin e fundit të 30 shtatorit, shkruan swissinfo. Këto aplikime kanë të bëjnë me 95 apartamente në 45 ndërtesa, shumica e të cilave janë shtëpi të dyta dhe shtëpi pushimi, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, bashkia vlerëson se edhe rreth 35 banorë duan të braktisin shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen. Para evakuimit në nëntor 2024, fshati kishte 90 banorë.
Që nga evakuimi, pothuajse 30 njerëz nga Brienzi janë larguar ose kanë vdekur. Shpenzimet e zhvendosjes do të mbulohen 90% nga qeveria federale dhe kantoni.