Shqipëria do të luajë dy ndeshjet e fundit kualifikuese ndaj Spanjës dhe Italisë. Për dallim nga Zvicra, kuqezinjtë nuk kanë gjasa. Por, kjo nuk e ka ndaluar Federatën Shqiptare që të bëj ftesë për futbollistët që kanë nënshtetësi të dyfishtë, shqiptare dhe zvicerane, shkruan ‘Blick’.
Njëri ndër ta është sulmuesi i Baselit, Albian Ajeti. Atë e kishte ftuar Gianni De Biasi para dy vjetësh, derisa për të ka shprehur interesim edhe Christain Panucci, përcjell albinfo.ch.
Vëllai i Albianit, Arlindi është pjesë e Shqipërisë për ndeshjet ndaj Spanjës dhe Italisë. Por, Albiani në anën tjetër, do të jetë pjesë e Zvicrës U-21 në Lugano kundër Rumanisë.
Sipas informacioneve nga ‘Blick’, 20-vjeçari do të vazhdojë të paraqitet edhe në të ardhmen për Zvicrën.
Ndërkohë, në kombëtaren shqiptare është rikthyer mesfushori i Baselit, Taulant Xhaka. Panucci e ka falur mesfushorin, i cili ndeshjen e fundit e kishte në nëntor të vitit të kaluar.