Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026, kundër Sllovenisë dhe Zvicrës, përcjell albinfo.ch.
Në listën e publikuar, Foda ka përfshirë 28 futbollistë, ndërsa në listën rezervë janë edhe 11 lojtarë të tjerë.
Grumbullimi i “Dardanëve” do të nisë të hënën, më 10 nëntor, kur do të zhvillohet edhe stërvitja e parë në Kampin Nacional në Hajvali, nga ora 17:00. Para kësaj, në orën 12:00, në hotel Emerald, përzgjedhësi Foda do të dalë në konferencë për media.
Kosova e zhvillon ndeshjen e parë më 15 nëntor në Lubjanë kundër Sllovenisë, ndërsa më pas më 18 nëntor, në stadiumin Fadil Vokrri, përballet me Zvicrën.
Aktualisht, Kosova renditet e dyta në Grupin B me 7 pikë, ndërsa Zvicra kryeson me 10 pikë. Dardanëve u mjafton një pikë ndaj Sllovenisë për të siguruar ‘play-off’-in, por me dy rezultate pozitive mund të arrijnë kualifikimin e drejtpërdrejtë në Botërorin 2026. /Albinfo.ch

