Një çift shqiptar është gjetur i pajetë në banesën e tyre në qytetin Brest të Francës. Sipas të dhënave të para, policia po heton ngjarjen si një rast të mundshëm vrasjeje e më pas vetëvrasjeje, përcjell albinfo.ch.
Sipas raportimeve të Le Télégramme, trupat e një burri 36-vjeçar dhe një gruaje 30-vjeçare u gjetën brenda shtëpisë, pranë një pushke gjuetie.
Çifti kishte dy fëmijë, të cilët fatmirësisht nuk ndodheshin në banesë në momentin e tragjedisë.
Hetimet paraprake sugjerojnë se burri mund ta ketë vrarë fillimisht bashkëshorten, e cila u gjet në banjo, dhe më pas ka kryer vetëvrasje në dhomën e gjumit. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.