Qeveria franceze po planifikon ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke filluar nga 1 shtatori 2026. Projektligji pritet të debatohet së shpejti në Parlament.
Sipas autoriteteve, masa synon të mbrojë të miturit nga rreziqet që lidhen me përdorimin e tepruar të ekraneve digjitale, përfshirë ekspozimin ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, ngacmimin kibernetik dhe çrregullimet e gjumit.
Zbatimi i ndalimit do t’i besohet Arcom-it, autoritetit francez për rregullimin e komunikimit digjital. Projektligji parashikon gjithashtu zgjerimin e ndalimit të përdorimit të telefonave celularë edhe në shkollat e mesme.
Presidenti Emmanuel Macron e ka shpallur këtë nismë si prioritet, ndërsa qeveria thekson se projektligji është në përputhje me legjislacionin evropian për shërbimet digjitale.