Franca njoftoi sot se do të dëbojë diplomatë rusë, si pjesë e veprimit të përbashkët evropian, pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Franca ka vendosur sot që të dëbojë një numër të personelit rus me status diplomatik të vendosur në Francë, aktivitetet e të cilëve janë kundër interesave tona të sigurisë”, tha të hënën Ministria e Jashtme franceze.
AFP raporton se një burim brenda kësaj ministrie ka bërë të ditur se 35 diplomatë rusë do të dëbohen.
“Ky veprim është pjesë e qasjes evropiane”, tha ministria franceze. “Përgjegjësia jonë e parë është gjithmonë që të garantojmë siguri për popullin francez dhe evropian”, shtoi MPJ e Francës.
Ky njoftim i Francës pason atë të Gjermanisë, Lituanisë dhe Letonisë që njoftuan se kanë marrë vendim për të dëbuar diplomatë rusë në përgjigje të veprimeve “brutale” të Rusisë në Ukrainë.
Ukraina i ka cilësuar vrasjet në Buça si gjenocid, ndërkaq Kremlini ka thënë se forcat e tij nuk janë përgjegjëse për këto vrasje/Rel