Fondacioni “Lorik Cana 5”, i kapitenit kuqezi ka nisur të funksionojë me projektet e para. Në Tiranë janë ndërtuar dy fusha të futbollit për fëmijët, njofton albinfo.ch.
Cana do të vazhdojë me projektet edhe në të gjitha trojet shqiptare. Projekti i parë u bë në bashkëpunim me kryetarin e Tiranës, Erion Veliaj.
Ish-kapiteni kuqezi ka thënë se projekti do të zgjerohet. “Kisha katër vjet që po mendoja të bëja fondacionin tim për të dhënë vlera që i ndihmojnë njerëzit, që i përfaqësojnë dhe që i lidhin me njëri-tjetrin. Sigurisht për të nisur, Tirana është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Fondacioni do të shtrihet në të gjitha trojet shqiptare, në Shqipëri, Kosovë dhe shpresojmë në të ardhmen në Maqedoni, për t’i mësuar fëmijëve tonë të rriten me vlerat e duhura. Më e rëndësishme se struktura, e cila nuk është e madhe, më i rëndësishëm është çfarë brumi ka brenda, çfarë programi do të ketë për fëmijët”, është shprehur ikona e futbollit shqiptar.