Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2025, nga 3.8% në 3.4%, ndërsa për 2026 pritet një rritje e lehtë në 3.6%. Inflacioni mesatar pritet të rritet në 2.3% këtë vit dhe në 2.8% në 2026. Në rajon, Kosova parashikohet të ketë rritjen më të lartë në 3.9% (2025) dhe 4% (2026), ndërsa Maqedonia e Veriut 3.4%, Mali i Zi 3.2%, Bosnja dhe Serbia 2.4%, përcjell albinfo.ch.
Në plan global, FMN paralajmëron për presionet e tarifave dhe proteksionizmit amerikan, megjithëse ekonomia botërore po reziston më mirë se pritej. Rritja globale pritet 3.2% në 2025 dhe 3.1% në 2026. SHBA do të ngadalësohet në 2% këtë vit, ndërsa Kina parashikohet të rritet 4.8% në 2025 dhe 4.2% në 2026.
FMN vëren gjithashtu stabilizim të inflacionit mbi objektivat e bankave qendrore në disa vende dhe paralajmëron rritje të huamarrjes dhe nevojë për shkurtime të shpenzimeve në Europë për shkak të plakjes së popullsisë dhe kostove të energjisë dhe sigurisë.