Pushimet për dhjetëra pasagjerë që udhëtonin drejt Qipros nuk nisën siç kishin planifikuar. Në vend që të uleshin në Larnaca, ata u detyruan të bënin një ndalesë të papritur në Greqi dhe më pas të ktheheshin në pikën e nisjes në Cyrih, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.
Fluturimi WK368 i kompanisë ajrore Edelweiss, që u nis nga Cyrihu të enjten në mbrëmje në orën 22:20, ishte planifikuar të mbërrinte në aeroportin e Larnacës në Qipro rreth orës 2:50 të mëngjesit të së shtunës, sipas kohës lokale. Por për shkak të mjegullës së dendur që kishte përfshirë aeroportin, Airbus A320 nuk mundi të zbresë siç ishte parashikuar.
Pak pas orës 3:00 të mëngjesit, një nga pasagjeret njoftoi familjen se avioni nuk kishte mundur të ulej dhe ishte devijuar drejt Rodosit, në Greqi. Aty, aeroplani u furnizua me karburant dhe më pas fluturoi sërish për në Cyrih, duke mbajtur në bord të gjithë pasagjerët.
Zëdhënës të Edelweiss-it konfirmuan për mediat lokale se “fluturimi i mbrëmshëm WK368 nga Cyrihu për në Larnaca duhej të devijonte në Rodos për shkak të kushteve atmosferike. Pas furnizimit me karburant, aeroplani u kthye në Cyrih”.
Pas kthimit, kompania organizoi një fluturim zëvendësues për udhëtarët, i cili u nis mëngjesin e së shtunës në orën 8:55, me destinacion përfundimtar Larnacën, duke u mundësuar më në fund nisjen e pushimeve të tyre, transmeton albinfo.ch.