Ndërsa njoftimi zyrtar nuk është bërë ende, mediat zvicerane raportojnë se Këshilli Federal ka vendosur të blejë avionë F-35 nga prodhuesi amerikan Lockheed Martin, transmeton albinfo.ch.
Blerja prej 6 miliardë frangash u aprovua nga votuesit në një referendum në shtator 2020 për të lejuar forcën ajrore zvicerane të zëvendësonte flotën e saj të “plakur”, me super aeroplanë të modeleve të fundit teknologjike, por vendimi përfundimtar se ku të blinte avionët i ishte lënë qeverisë.
Theksohet se pretendentët e tjerë ishin Rafale, i bërë nga kompania franceze Dassault dhe Eurofighter nga Airbus.
Nuk dihet ende nëse vendimi i Zvicrës u ndikua nga vizita e Joe Biden në Gjenevë ditë më parë. Në një takim me homologun e tij zviceran Guy Parmelin, presidenti amerikan “kujtoi cilësinë e shkëlqyeshme të avionëve amerikanë”, tha Parmelin. /Albinfo.ch