Austria nisi dje ndërtimin e një memoriali të ri të Holokaustit i cili do të jetë në parkun “Ostarrichipark” të Vjenës, ku do të ngrihet një mur që mban emrat e më shumë se 64 000 hebrenjve austriakë të vrarë.
“Berlini e ka një memorial përkujtimor, Parisi po ashtu. Vjena nuk ka pasur asnjëherë një deri tani”, thotë Oskar Deutsch, udhëheqës i komunitetit hebre të Vjenës, shkruan kurier.at, përcjell Albinfo Austria.
“Edhe pse në Austri ekzistojnë memoriale të tjera publike për të përkujtuar viktimat e Holokaustit, asnjëri nuk u kushtohet individëve”, ka vazhduar ai.
Ndërkohë kryetari i parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka ka thënë:
”Ky memorial përkujtimor u jep përsëri identitetin e 64.225 fëmijëve, grave dhe burrave hebrenj që jetuan në Austri dhe u vranë në Shoah”.
Memoriali pritet të përfundojë në fund të vjeshtës së vitit të ardhshëm.