Në Davos pritet të vijnë më shumë se 40 shefa të qeverive, duke përfshirë edhe kryeministrin australian, Tony Abbott, i cili kryeson grupin G20, presidentin brazilian Dilma Rousseff, kryeministrat britanik dhe japonez, David Cameron dhe Shinzo Abe.
Në Forumin e sivjetëm marrin pjesë edhe presidenti i Iranit, Hassan Rohani dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do t’i bashkohet Forumit të premten.
Temat kryesore të këtij edicioni të Forumit Ekonomik Botëror janë konflikti në Siri, ndryshimi i klimës, rimëkëmbja ekonomike, rritja e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve dhe kriza në Ukrainë.
Forumi i Davosit zgjat deri më 25 janar dhe mbahet në të njëjtën kohë kur negociatat janë duke u zhvilluar në Montreux të Zvicrës për të zgjidhur konfliktin në Siri në kuadër të konferencës Gjeneva 2.
Siç raporton Reuters, në mesin e 2.500 pjesëmarrësve nga njëqind vende janë fitues të çmimit Nobel, personalitete fetare dhe përfaqësues të sindikatave dhe OJQ-ve.
Këtë vit Forumi në Davos do të presë një numër të udhëheqësve të kompanive multinacionale, Marissa Mayer, drejtor i Yahoo-s në SHBA dhe Joseph Jimenez, drejtor i kompanisë farmaceutike zvicerane «Novartis».
Forumi në Davos është themeluar në vitin 1971, mund të quhet ndryshe edhe si një “laborator i ideve”, i cili do të diskutojë çështje të rëndësishme që ndikojnë në të ardhmen e botës. Pas krijimit të tij është bërë një pjesë e domosdoshme e kalendarit politik dhe ekonomik vjetor.
WEF përshkruan veten si “një organizatë e pavarur ndërkombëtare angazhuar për përmirësimin e gjendjes së botës, e cila duke përmendur figurat kryesore politike, akademike dhe të tjera të shoqërisë ndihmon në krijimin e agjendave globale, rajonale dhe ekonomike.
Për sigurinë e pjesëmarrësve në këtë Forum do të kujdesen 3.000 ushtarë zviceranë.