Organizata joqeveritare “Germin” do të organizojë 10 takime mes të rinjve të komunave të ndryshme të Kosovës dhe mërgimtarëve tanë. Këto takime kanë për qëllim të motivojnë profesionistët e rinj të Kosovës që të jenë pjesë e rrugëtimit të ndryshimeve në vendin tonë. Po ashtu, përmes këtyre bashkëbisedimeve “Germin” synon të ngrejë vetëdijen dhe spektrin e dijes te të rinjtë nga ekspertët e diasporës, duke diskutuar tema tё ndryshme rreth edukimit, teknologjisë, biznesit, shkencës, mjekësisë, kulturës, etj.
“Për të ndarë me ne përvojën e tyre dhe për të diskutuar rreth përfshirjes së diasporës në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët, folësit e takimit janë: Ganimet Bajraktari nga Austria dhe Orhidea Rama nga Kamboxhia”, thuhet në njoftimin e “Germin”.
“Ganimetja dhe Orhidea do të ndajnë me të rinjtë e Suharekës rrugëtimin dhe eksperiencat e tyre për të arritur aty ku janë dhe do të flasin më shumë për rëndësinë e rrjetëzimit të profesionistëve shqiptarë nga diaspora dhe atyre në Kosovë dhe ndryshimeve shoqërore që ky rrjetëzim mund të sjellë”, thuhet më tutje në njoftim.
Takimet e tjera do të mbahen gjatë muajve korrik dhe gusht në këto qytete: Gjilan, Kamenicë, Prizren, Pejë, Junik, Mitrovicë, Ferizaj dhe Prishtinë.
Nëse jeni të interesuar të dini më shumë rreth kësaj ngjarjeje, kontaktoni në germinks@gmail.com ose në Facebook (Germin).
Kjo iniciativë është financuar nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office (FES).