Në një njoftim për media bëhet e ditur se në këtë festival janë të ftuar të gjithë artistët që kanë përvojë në vizatim të portreteve si nga Kosova, ashtu edhe nga vendet e tjera, ku portreti më i mirë i vizatuar do të shpërblehet me plaketën “Ura e gurit” dhe me diplomë.
“Edicioni i 13-të dedikohet posaçërisht për bashkatdhetarët tanë si dhe vizitorëve të qytetit piktoresk, Prizrenit, ku pos ekspozitës, do të demonstrohet edhe vizatimi i portreteve nga artistët botërorë. Ky edicion vie pas suksesit të festivalit të vitit të kaluar, ku për 4 ditë janë vizatuar 260 portrete dhe me po aq interesim të madh të kërkuesve për realizimin e portreteve”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.
Përveç kësaj, synim i këtij edicioni është të krijojë dhe të zhvillojë këtë lojë të artit përmes bashkëpunimit me organizata të tjera botërore.
Si pjesë e festivalit thuhet se do të jenë të pranishëm edhe drejtori i organizatës së karikaturistëve botërorë “DonChickoute” nga Gjermania, zoti Erdogan Karayel, si dhe do të shfaqet ekspozita botërore “Quo Vadis Europe”, me rreth 60 punime.
