Sulmuesi shqiptar i Malit të Zi, Fatos Beqiraj, nga sezoni i ardhshëm pritet ta bartë fanellën e kampionit të Bosnjë e Hercegovinës, FK Sarajeva – shkruan portali malazez, Vijesti.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, 32-vjeçari pritet ta vazhdojë karrierën me klubin e ri.
Në dy sezonet e fundit (2018-2020), ai ishte pjesë e klubit izraelit, Maccabi Netanya, me të cilët e ka ndërprerë kontratë.
Ishte raportuar se Beqiraj mund të kthehet në futbollin malazez, mirëpo si lojtar i lirë, është kërkuar nga kampioni boshnjak.
Gjatë karrierës, sulmuesi ka luajtur edhe për klubet, si Besa e Pejës, Dinamo Zagreb e Dynamo Moska, në Kinë te Changchun Yatai dhe në Belgjikë te Mechelen.
Është rekorder me numrin e paraqitjeve për Malin e Zi, ku ka zhvilluar 69 ndeshje dhe i ka shënuar nëntë gola.