Mesfushori kosovar, Fanol Perdedaj, do të largohet gjatë verës nga ekipi i FC Energji Cottbus që aktualisht gjendet në vendin e gjashtë në ligën e tretë gjermane. “Unë nuk do ta vazhdoj më kontratën me Cottbusin”, ka thënë ish-futbollisti i Hertha BSC.
Pas një viti e gjysmë që luan te Cottbusi, Perdedaj dëshiron të gjejë një ekip i cili luan në ligat më të larta të futbollit. “Unë kam vendosur të gjej një rrugë tjetër. Unë dua të luaj në liga më të larta”, ka thënë 23-vjeçari nga Prizreni për mediet gjermane, transmeton albinfo.ch.
Siç bëhet e ditur, ekipi i ka ofruar Perdedajt një kontratë të re, por ai nuk e ka pranuar. Për largimin e tij është shprehur edhe trajneri Stefan Karmer. “Natyrisht se na vjen keq që Fanoli do të largohet. Ai ka oferta nga ligat e tjera dhe në rrethana të këtilla është shumë normale që të kërkojë skuadër të re”, ka thënë trajneri Karmer.
Fanol Perdedaj është 23-vjeçar, i cili që nga fëmijëria është larguar nga Kosova bashkë me familjen për të jetuar në Berlin të Gjermanisë. Ai është lojtar standard i përfaqësueses së Kosovës.
Albinfo.ch

