Zyra Federale për Statistikë ka llogaritur se cila pjesë e popullatës do të prekej nga varfëria në rast se nuk do të merrte ndihma sociale. Sipas kësaj përllogaritjeje, në vitin 2015 në Zvicër do të kishim 15.9 për qind ose afër 1.3 milion njerëz të varfër, shkruan sda.ch.
Ndërsa në kushtet ekzistuese, kur këto ndihma janë ndarë, shkalla reale e varfërisë, sipas kritereve zvicerane bie në 7 për qind ose në 570 mijë njerëz të varfër, pra më pak se gjysma e shifrës së parë, transmeton albinfo.ch. Për të rezultuar kjo përqindje, në buxhetet familjare përfshihen të gjitha të ashtuquajturat “transfere sociale”, siç janë shtesat e fëmijëve, pensionet e invaliditetit, zbritjet e premive (të sigurimit shëndetësor), ndihmat sociale dhe ndihmat e papunësisë.
Veçanërisht te çiftet me fëmijë nën tre vjeç ose me tre e më shumë fëmijë, ndihmat e përmendura ndihmojnë shumë në zbutjen e varfërisë, përcjell albinfo.ch. Pa këtë mbështetje, këto kategori, me kuotën mbi 18% do të ishin më shumë se dy herë më shpesh të varfra se sa çiftet pa fëmijë (7.7%).