Musa Musiqi që nga lindja vuante nga paraliza cerebrale për shkak të hemorragjisë në tru. Por handikapi që ka nuk e pengon atë të ndjekë Natin.
Çdo ditë me Nati-n është si dhuratë për Musa Musiqin, TRANSMETON ALBINFO.CH. “Kur shoh lojtarët, zemra ime hapet”, thotë 21-vjeçari nga Zvicra Lindore, i cili vuan nga paraliza cerebrale për shkak të një hemorragjie të trurit në lindje – një çrregullim lëvizjeje që çon në ngurtësim të muskujve. “Ekipi kombëtar është një shpërqendrim nga përditshmëria dhe një shtëpi e dytë për mua”, thotë ai.
Por, për ta arritur këtë, pra për të qenë me Nati-n, ai nuk përton të largohet nga apartamenti i tij në St. Gallen, sikur bëri javën e kaluar, duke dalë vetë me karrocën invalidore, për të hipur pastaj në tren, në autobus dhe në tramvaj dhe për t’u takuar më në fund me Nati-n në hollin e hotelit Dolder, në Cyrih, shkruan 20minuten.ch. Plot katër orë i janë dashur për ta bërë këtë.
Granit Xhaka është lojtari i tij i preferuar
Për të ushtruar veten që të arrijë në kohë, ai kishte bërë këtë rrugë edhe një herë tjetër, disa ditë më parë. Kjo nuk e lodh atë. Përkundrazi: “Udhëtimi më jep energji të re; dhe kur lojtarët flasin me mua, kjo më bën të ndihem shumë mirë”. I preferuari i tij është Granit Xhaka. “Ai është shumë njerëzor dhe tregon shumë respekt”.
“Ai më bën të ndihem sikur jam dikushi, edhe pse në karrige me rrota”, thotë Musiqi, i cili, ashtu si dhe idhulli i tij, është me prejardhje nga Kosova, përcjell albinfo.ch. “Granit është një luftëtar si unë – me shumë pasion për futbollin – kjo më pëlqen”.
Admirimi është i ndërsjellë. “Musa ka një zemër të madhe. Është gjithmonë mirë ta shohësh atë. Ai është gjithmonë aty – si një truprojë”, thotë Xhaka dhe shpreh entuziazmin e tij për tifozin besnik të Nati-t. “Kam respekt të madh për të. Jeta e Musait nuk është gjithmonë e lehtë.
Xhaka e tregon respektin për mikun e tij, edhe në rrjetet sociale. “Ai më ka bërë vend madje edhe në profilin e tij në instagram”, tregon Musiqi, “ky gjest më bën super krenar”.