Shërbimi policor evropian Europol, ka njoftuar se ka arrestuar në flagrancë 165 persona, anëtarë të 12 grupeve të krimit të organizuar, që prodhojnë ilaçe të falsifikuara dhe i fusin në treg në Evropë.
Në deklaratën e bërë nga Europoli, thuhet se në operacionin e organizuar nën udhëheqjen e ekipeve nga Franca dhe Finlanda, u arrestuan gjithsej 165 persona nga rreth 10 shtete, raporton KOHA.
Në operacionet e zhvilluara mes korrikut dhe tetorit të vitit 2019, janë konfiskuar 36 milionë njësi të ilaçeve të falsifikuara.
Në deklaratë, Europoli tërheq vëmendjen në rritjen e kontrabandës së ilaçeve dhe prodhimin e ilaçeve të falsifikuara. Gjithashtu theksohet se në 3 vjetët e fundit janë kapur rreth 600 kontrabandues të ilaçeve dhe se janë konfiskuar 123 milionë njësi të ilaçeve të falsifikuara, përcjell Albinfo.ch