Një dyqan pranë rrugës në qytetin e Pejës ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Kjo pasi në këtë komunë mbrëmjen e së hënës ka pasur erëra të fuqishme.
Pronari i këtij dyqani thotë se intervenimi i njësiteve të zjarrfikësve ka qenë i menjëhershëm.
“Rreth orës 7:00 të mëngjesit kur kam ardhur i kam parë që kanë ardhur zjarrfikësit dhe kanë qenë duke pastruar hapësirën. Era ka shkaktuar dëme të mëdha. Tash po mundohemi t’i rregullojmë vetë dëmet që na janë shkaktuar”, shprehet për RTV Dukagjinin Agon Tahiri.
Tahiri tregon se dëmet janë edhe në rrjetin elektrik, përcjell albinfo.ch.
“Rrymë ende nuk ka dhe kulmi është komplet i shkatërruar”, shprehet më tej Agon Tahiri.
Në Pejë, nga erërat u shkaktuan edhe dëme të tjera. Disa shtylla elektrike janë dëmtuar, çka ka bërë që disa fshatra të Pejës të mbesin pa energji elektrike deri ne evitimin e problemeve.
Në anën tjetër, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, tha se ekipet kanë dalë në terrenet të cilat janë të dëmtuara me rrjetin elektrik dhe janë duke punuar me të gjitha kapacitetet e mundshme për evitimin sa më të shpejtë të problemeve. Po ashtu siç ka njoftuar KEDS-i probleme me rrjetin elektrik kanë edhe komunat si Gjakova, Mitrovica dhe Prizreni.