Në përballjen e gjashtë të Liverpulit ka ardhur edhe mundësia e parë që shqiptari Xherdan Shaqiri të aktivizohet si titullar, duke u kthyer edhe në protagonist të fitores së thellë të ekipit të tij kundër Southampton. Jurgen Klopp vendosi të aktivizonte nga fillimi Xherdan Shaqirin, i cili shënoi në minutat e para duke krosuar me të djathtën dhe pas një karamboli në zonë, topi përfundoi në rrjetë.
Dy golat e tjerë të nënkampionëve të Europës në fuqi u shënuan nga Joel Matip dhe Mohammed Salah. Egjiptiani përfitoi nga topi që u përplas në traversë pas një goditjeje të shkëlqyer nga Shaqiri, për të shënuar me portën bosh.
Liverpuli nuk ka akoma asnjë humbje dhe asnjë barazim në Premiere League.