«Kanë fituar që të tria» Catharina Luttmann (16), Saskia Heese (17) dhe Elona Beqiraj (19). Por, juria më në fund është dashur të vendoste për njërën nga kandidatet. Kështu, fituese u shpall 19 vjeçarja Elona Beqiraj nga qyteti Verden, shkruan kreiszeitung.de. Bashkë me çmimin «Young Women in Public Affairs Award» asaj i ka takuar edhe shuma simbolike në para prej 300 eurove.
Bëhet fjalë për një çmim nderi për femrat e moshave 16 -19 vjeçare, të cilin e ndan Zonta Club për të shtatin vit me radhë.
«Gëzohem shumë», thotë 19 vjeçarja e cila është duke ndjekur gjimnazin dhe që është angazhuar veçanërisht në punë me refugjatë, transmeton albinfo.ch. Maturantja, e konsideron se e gjithë puna që ajo e bën si vullnetare është diçka e vetëkuptueshme. Elona është me dëshirë gjithonë në dispozicion për të tjerët dhe e interesuar për kulturat tjera.
«Për nga natyra jam kureshtare. Pastaj, rrënjët e familjes sime janë në Kosovë, gjë që me siguri e shpjegon edhe angazhimin tim pasionant në punë me refugjatët», përcjell albinfo.ch. «Fundja edhe vetë familja ime para një kohe jo të gjatë ka përjetuar ikjen dhe humbjen e atdheut».
Edhe sa u përket të drejtave njerëzore të gruas, fituesja e çmimit përfaqëson një qëndrim domethënës: Gjatë viteve të kaluara sigurisht është bërë shumë, por është punë e qeverive përkatëse që të kujdesen që të gjitha vajzat dhe gratë të gëzojnë arsimimin dhe të drejtat e barabarta», thotë ajo. Dhe për të mbështetur këto qëndrime, Elona, e cila është bashkëthemeluese e shoqatës «Verden hilft» dëshiron që pas maturës këtë vit të punojë në ndihmën për zhvillim, e pastaj të studiojë politikën ose gazetarinë.