Disa ekspertë të shquar të sëmundjeve infektive kërkojnë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të veprojë më shpejt për të frenuar përhapjen e Lisë së majmunëve, rastet e së cilës tashmë janë konfirmuar në 20 shtete.
Sipas tyre, qeveritë në botë dhe OBSH-ja nuk duhet të përsërisin gabimet kur u shfaq pandemia e COVID-19, ku u gjenden të papërgatitura për zbulimin e rasteve, raporton Reuters, përcjell Albinfo.ch.
Edhe pse Lia e majmunëve nuk është aq e transmetueshme apo e rrezikshme sa COVID-19, ekspertët thonë se duhet të ketë udhëzime më të qarta se si duhet të izolohet një person i infektuar, si të mbrohen ata që rrezikohen të infektohen dhe për testimet apo gjurmimet e rasteve.
OBSH deklaron se në mbarë botën janë rreth 200 raste të konfirmuara, shifër që mund të jetë maja e ajsbergut, teksa edhe Europa po përballet me rritje të të infektuarve.
Rasti i parë i Lisë së majmunëve në Europë u konfirmua më 7 maj, te një individ i kthyer në Angli nga Nigeria.
Lia e majmunëve është shumë e ngjashme me linë e zakonshme dhe është më pak e transmetueshme teksa kryesisht është e përhapur në Afrikën perëndimore.