Ekonomia shqiptare u ngadalësua sërish në tremujorin e dytë, teksa prodhimi kombëtar u rrit me vetëm 2.31 për qind. Instat shpjegoi se rritja e dobët është rezultat i tkurrjes së dy sektorëve.
Sipas INSTAT, përveç energjisë dhe basteve, një tjetër sektor me rënie ka qenë edhe ai i ndërtimit. Ndërsa të gjitha degët e tjera të ekonomisë kanë shënuar rritje të udhëhequra nga turizmi dhe bujqësia.
“Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me +0,71 pikë përqindje. Aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit me +0,41 pikë përqindje” raporton TCH.
Efektet e rënies së prodhimit energjetik dhe mbylljes së basteve në ngadalësimin e ekonomisë pritet të jenë të përkohshme. Por, nga krahu i kërkesës ekonomia po përballet me një risk të ri, rënien e investimeve private, përcjell albinfo.ch.
Katër vjetët e fundit investimet në ekonomi kanë përfituar nga ndërtimi i gazsjellësit TAP dhe kaskada e Devollit. Por tashmë këto projekte po shkojnë drejt përfundimit, duke krijuar një hendek jo të vogël në kërkesën agregate.