Banka Qendrore e Kosovës, ka prezantuar Raportin e Bilancit të Pagesave të Kosovës, që pasqyron zhvillimet kryesore të ndërlidhura më zhvillimet kryesore makro-ekonomike në vend.
Ekonomia e Kosovës karakterizohet me nivel të ulët të eksporteve dhe mbështetje të lartë në importe, duke rezultuar me një normë të lartë të deficitit tregtar, thuhet në raport.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, ka deklaruar se përkundër zhvillimeve jo të favorshme në ekonominë globale gjatë viteve të fundit, ekonomia e Kosovës vazhdon të rritet, duke u karakterizuar me stabilitet fiskal e financiar.
“Konsumi dhe investimet e sektorit privat ishin shtytësit kryesor të rritjes ekonomike në vend”, ka thënë Gërguri, duke shtuar se kontribut kanë dhënë edhe investimet publike.
“Por, kontributi i kërkesës së jashtme për rritjen ekonomike në vendin tonë, përmes eksporteve vazhdon të jetë i kufizuar”, ka deklaruar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës gjatë prezantimit të Raportit për Bilancin e Pagesave.
Ndërsa Sokol Havolli, nga departamenti për analiza dhe stabilitet financiar, i cili bëri prezantimin e detajuar të bilancit të pagesave, ka theksuar se Kosova është një nga vendet në rajon me normën më të lartë të rritjes ekonomike për vitin 2011 me 5 për qind.
Ndërkohë, sipas tij, që çmimet e prodhimit kanë shënuar rritje gjatë vitit të kalaur.
Deri në shtator të vitit 2011 shuma e përgjithshme e investimeve të huaja direkte në Kosovë ka qenë rreth 290 milion euro ose një rritje në shkallë vjetore prej 24.5 për qind.
Vlerësohet se me gjithë rritjen e vazhdueshme, niveli aktual i investimeve të huaja është i pamjaftueshëm karshi mundësive të mëdha që ofron ekonomia e Kosovës.