Nuk është vetëm diaspora e Kosovës që kërkon një përfaqësim më meritor në institucionet e vendit prej nga vjen. Edhe mërgimtarët zviceranë, gjegjësisht “auslandschweizer” (zviceranët e jashtëm, alias “shatz-at” e zviceranëve) kanë pretendimet e tyre për t`u përfshirë në institucionet e Zvicrës.
SVP (UDC) Ndërkombëtare ka provuar të bëhet zëdhënëse e kërkesave të këtyre mërgimtarëve, duke kërkuar që ata në zgjedhjet që mbahen më 23 tetor të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlamentin Nacional të Zvicrës.
Kjo degë partie, madje konkurron në tetë kantone me listat e veta ku bëjnë pjesë 54 kandidatë ga e gjithë bota. Kantonet ku SVP internacionale ka listat e veta janë: Argau, Basel Stadt, Gjenevë, Graubünden, Schaffhausen, Solothurn, Schwyz dhe Zürich.
Ky numër tregon rritjen e pretendimeve të “zviceranëve të jashtëm”. Në vitin 2007 ata ishin të përfaqësuar në lista në katër kantone ndërsa në vitin 2003 vetëm në një kanton.
Por, deri më tash asnjë i tillë nuk ka mundur të zgjidhej deputet nacional.
Në prezantimin që bënë të hënën ne Bernë, përfaqësuesit e SVP-së internacionale kërkuan forcimin e të drejtave politike të shtetasve zviceranë që jetojnë jashtë vendit. Ata kërkuan po ashtu që votimi elektronik të bëhet i mundur në të gjitha kantonet etj. Njohja e sistemit arsimor zviceran jashtë vendit, mos cenimi i sekretit bankar për shtetasit zviceranë dhe njohja e sigurimit AHV ishin disa nga kërkesat tjera.
“Internacionalët” e SVP-së kanë kritikuar ministren e jashtme Calmy Rey për mbylljen e disa konsullatave në Evropën e mesme dhe të lindjes, që u bë para disa ditëve. Ata njëherësh kanë kërkuar nga SVP-ja amë që në të ardhmen ajo të udhëheqë me Departamentin e jashtëm të qeverisë zvicerane.