Prodhuesi gjerman i veturave, “Porsche” nisi zyrtarisht prodhimin e modelit të tij të parë tërësisht elektrik, “Porsche Taycan”, gjë që u vlerësua nga ministri gjerman i transportit, Andreas Scheuer, në ceremoninë e hapjes.
Gjatë evenimentit, Scheuer tha se ishte shumë e rëndësishme që të bisedohej më shumë për produkte “prodhuar në Gjermani” dhe se kompania kishte të drejtë që ishte përqendruar në rritjen e mundësive të punësimit në rajon.
“Porsche” investoi 700 milionë euro për vendin e ri të prodhimit, në selinë e tij në Shtutgart.
Fabrika e prodhimit të veturave elektrike përfshin edhe një linjë të re montimi dhe një repart lyerjeje, transmeton ASTH.
Në mënyrë që prodhimi i veturës së re të mbetet në Shtutgart, të punësuarit ranë dakord që të heqin dorën nga rritja e pagave deri në vitin 2025, përcjell albinfo.ch.
Gjithashtu, u punësuan edhe 1 500 punonjës të rinj. Kryetari i bordit të “Porsche”, Oliver Blume tha se tashmë janë paraporositur 30 000 vetura të reja tip “Taycan”.