Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq nuk kanë arritur të merren vesh çështjen e telekomit dhe të energjisë, për çka edhe ishte thirrur takimi i të mërkurës në Bruksel, nga ana e përfaqësuese së BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.
Megjithatë siç njofton Zyra e baroneshës Ashton, është një pajtim që të punohet në përgatitjen sa më mirë të zgjedhjeve të 3 nëntorit, përfshirë këtu pjesëmarrjen sa më të madhe të serbëve në komunat veriore.
Maja Kocijançiq është zëdhënëse e baroneshës Ashton, e cila edhe i ndërmjetëson bisedimet në nivel kryeministrash. Ajo ka thënë për REL se dy kryeministrat janë pajtuar që të mbahet ky ritëm, të cilin ajo e cilësoi si të mirë, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.
“Kryeministrat i kanë diskutuar përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor. Ata janë pajtuar që hapa konkretë duhet të ndërmerren me qëllim që ato zgjedhje të kenë pjesëmarrje të kënaqshme. Ata, gjithashtu, konfirmuan që puna në zbatim të marrëveshjes duhet të vazhdojë gjatë javëve në vijim”, tha Kocijançiq.
Pavarësisht që takimi i të mërkurës nuk ka sjellë rezultate të kënaqshme, posaçërisht me zgjidhjen e çështjes së kodit telefonik ndërkombëtarë për Kosovën, megjithatë kryeministri Thaçi takimin e vlerësoi pozitiv, sa i përket mesazhit për daljen e serbëve në zgjedhje.
“Është me rëndësi që edhe Serbia i ka ftuar serbët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, ndërsa Kosova do t’i kryejë të njëjtën kohë të gjitha obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore”, deklaroi Thaçi.
Ndërsa kryeministri serb, Ivica Daçiq në anën tjetër, u shpreh i kënaqur pas takimit pasi ai tha se janë arritur pajtime konkrete për zgjedhjet e 3 nëntorit dhe, siç raporton “Beta”, krijimin e policive në komunat serbe.
“Për ne është e rëndësishme që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, jo pse me këtë ndihmohet marrëveshja e Brukselit, ose për të rrumbullakuar pavarësinë e Prishtinës, por para se gjithash për t’i ndihmuar vetvetes, Serbisë, popullit tonë, që serbët në Kosovë të fitojnë për herë të parë përfaqësues legjitimë”, tha Daçiq.
Në takimin e 24 korrikut megjithatë ka një lloj përparimi sa i përket krijimit të policive në komunat serbe, dhe pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e ardhshme komunale me dokumente të Serbisë.
Kryeministri Thaçi ditë më parë kishte thënë se aplikimin për kodin telefonik të Kosovës sipas të gjitha gjasave do ta bëjë një nga vendet anëtare të BE-së. Para se të hynte në takimin e 24 korrikut kryeministri Thaçi ishte shprehur optimist se kjo marrëveshje dhe ajo për energji do të arrihej gjatë raundit të së mërkurës.
Ndryshe grupet e ekspertëve do vazhdojnë me dialogun teknike edhe javën e ardhshme ndërsa dy kryeministrat do takohen serish në Bruksel më 27 gusht.