Sikur të ishte votuar javën e kaluar, iniciativa për zbatimin e dëbimit do të hidhej poshtë. Këtë konstatim e ka arritur edhe sondazhi i dytë i realizuar nga instituti për hulumtimin e opinionit Gfs Bern, raportojnë mediet zvicerane. 49 për qind të të anketuarve do të votonin kundër iniciativës ndërsa 46 në favor të saj. 5% do të ishte kuota e të papërcaktuarve.
Jo më larg se sot paradite ishin publikuar të dhënat e një sondazhi të realizuar nga gazeta 20minuten (e ka transmetuar albinfo.ch), i cili i parashikonte inicativës një humbje edhe më të thellë, me 56% kundër.
Në sondazhin e bërë po nga gfsBern të realizuar në janar të këtij viti, 51 për qind kanë qenë pro dhe vetëm 42% kundër iniciativës. Kjo tregon një trend të rëndësishëm drejt humbjes së bartësve të kësaj iniciative të kontestuar, SVP-së.
Edhe shkalla e pjesëmarrjes në votim sipas këtij instituti shkon drejt rritjes, transmeton albinfo.ch. Më 28 shkurt, ditën kur votohet për 4 iniciativa të ndryshme në nivel vendi, pritet të marrin pjesë rreth 55% të qytetarëve me të drejtë vote.
Për iniciativën «Për kurorën dhe familjen-kundër dënimit martesor», do të votonin 53% pro, 38% kundër dhe 9% të papërcaktuar.
Iniciativa për ndërtimin e tubit të dytë në tunelin e Gothardit do të votohej me një shumicë prej 56% dhe kundër saj do të ishin 39% e të anketuarve, konstaton sondazhi i insttutit të përmendur.
Ndërsa një humbje të qartë do ta pësonte iniciativa kundër spekulimit me artikujt ushqimorë. Në favor të saj do të votonin 31%, kundër 54% dhe të pavendosur, 15%.