Ministria e Punëve të Jashtme njofton se ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, në një ceremoni zyrtare ia dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, duke u akredituar si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Kosovës në Slloveni.
Presidenti Pahor i ka uruar mirëseardhje dhe suksese në Republikën e Sllovenisë Ambasadorit Kastrati. Ambasadori Avni Kastrati e falënderoi Presidentin Pahor për pritjen duke i përcjell përshëndetjet e përzemërta të Presidentit Thaçi.
Ambasadori Kastrati, gjithashtu, theksoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e gjithanshëm të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve.
Kastrati është ambasadori i radhës i Kosovës që vjen nga politika. Ai ka qenë kryetar i Mitrovicës dhe anëtar i partisë Demokratike të Kosovës. Ditë më parë opozita ka akuzuar ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli për tejkalimin e kuotës me emërimet politike në diplomaci.