Bashkatdhetarët tanë, gjatë udhëtimit të tyre për në Kosovë, edhe këtë vit po ballafaqohen me pritje të gjata në kufirin Kosovë – Serbi, në pikëkalimet kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë.
Për mërgimtarë të shumtë këto pritje janë bërë të përvjetshme. Sipas shumë bashkatdhetarëve, kolonat e automjeteve në hyrje – dalje të kufirit me Serbinë kanë arritur deri në 10 Kilometra, sidomos gjatë ditëve të vikendit.
“Më duket se 300 orë rrugë i kemi bërë deri sa arrita në Kosovë. Nuk e di deri kur do të vazhdohet me këtë torturë të cilën e përjetojmë çdo vit”, ka thënë për “albinfo.ch” Armend Krasniqi i cili jeton në Zvicër dhe dje ka arritur për pushime në Kosovë.
“Kolona kur po vijmë, kolona kur po shkojmë, e pakuptueshme se si shteti ynë nuk bën një përgatitje më të mirë për të pritur mërgimtarët”, thotë ai.